Shaqir Fetai paska pritur në kabinetin e vet të okupuar bashkëpunëtorët e tij, përkatësisht referentët e të ashtuquajturave “arkiva të BFI-së”, dhe nga ky takim ka prodhuar lajm publik. Në një botë normale, takimi i një drejtuesi me punonjësit e vet quhet rutinë pune. Në universin e Shaqir Fetait, ai shndërrohet në ngjarje mediatike, në akt vetëlavdërimi dhe në tentativë për të ndërtuar imazh institucional mbi hiçin.
Sipas njoftimit zyrtar, referentët paskan raportuar mbi “ecurinë e procesit të digjitalizimit, sistemimit dhe evidentimit të materialeve arkivore”, ndërsa Shaqir Fetai e paska vlerësuar këtë proces si “angazhim strategjik me rëndësi të veçantë për ruajtjen institucionale të kujtesës historike të Bashkësisë Fetare Islame”.
Kjo fjali, e formuluar me terminologji burokratike dhe boshësi semantike, do të kishte kuptim po të mos vinte nga njeriu që ka shkatërruar në mënyrë sistematike arkivin më të madh publik të BFI-së në epokën digjitale.
Sepse faktet janë të njohura dhe të dokumentuara:
Shaqir Fetai ka mbyllur faqen zyrtare të internetit të BFI-së, e cila kishte rreth 40 mijë ndjekës dhe përmbante një arkiv të jashtëzakonshëm tekstesh, dokumentesh, fotografish dhe kronikash aktivitetesh që mbulonin mbi tri dekada të historisë institucionale të Bashkësisë Fetare Islame, pikërisht periudhën më dinamike, më sfiduese dhe më domethënëse të saj.
Ky veprim nuk ishte teknik. Nuk ishte rastësi. Nuk ishte neglizhencë. Ishte vendim politik (i porositur nga shërbimet) mbi kujtesën.
Po ashtu, Shaqir Fetai ka mbyllur edhe Web faqen e mëparshme zyrtare të BFI-së e cila përmbante mijëra fotografi dhe njoftime që dëshmonin një periudhë kur BFI-ja kishte jetë publike, aktivitet, pluralitet mendimi dhe angazhim shoqëror. Me një klik, u zhdukën dëshmi që nuk përputheshin me narrativën e re.
Pse u bë kjo? Sepse Shaqir Fetai synon të imponojë një “të vërtetë” të vetme:
historia e BFI-së fillon me ardhjen e tij në krye të institucionit.
Gjithçka para tij duhet të zbehet, të fshihet, të relativizohet ose të zhduket. Çdo figurë, çdo aktivitet, çdo periudhë që nuk i shërben mitit personal të “udhëheqësit shpëtimtar” duhet të largohet nga kujtesa kolektive. Ky është parimi bazë i autoritarizmit: kontrolli i së tashmes fillon me shkatërrimin e së kaluarës. Pa dyshim, kjo i hap rrugë, madje edhe e obligon moralisht secilin që do të vie pas Shaqir Fetait për ta fshirë tërë periudhën e tij e cila vlerësot sot e mot si periudha më e errët, më e pamoralshme dhe më e poshtër e BFI-së.
Në këtë kontekst, angazhimi i sotëm i Shaqir Fetait për t’u paraqitur si “digjitalizues i historisë së BFI-së” nuk është vetëm i pavërtetë, por cinik. Nuk mund të digjitalizosh atë që ke shkatërruar. Nuk mund të ruash një histori që e ke fshirë qëllimisht. Nuk mund të flasësh për “kujtesë institucionale” pasi ke kryer një amnesti selektive të arkivave.
Një BFI pa historinë e saj të vërtetë, pa dokumentet, figurat, debatet, gabimet dhe arritjet e tri dekadave të mëparshme, është një institucion i zbrazët. Dhe një institucion i zbrazët është i lehtë për t’u kontrolluar, i lehtë për t’u instrumentalizuar dhe i paaftë për të prodhuar autoritet moral.
Prandaj problemi nuk është teknologjik. Nuk është digjitalizimi. Problemi është vullneti politik për të zhdukur kujtesën dhe për ta zëvendësuar atë me një arkiv të ri, të filtruar, të sterilizuar dhe të ndërtuar sipas nevojave të një njeriu të vetëm.
Historia nuk fillon me instalime. Kujtesa nuk rindërtohet me fshirje. Dhe arkivi nuk është pronë private e kryetarit të radhës.
Shaqir Fetai mund të organizojë takime, të prodhojë lajme dhe të përdorë fjalë të mëdha si “strategji” dhe “kujtesë historike”, por faktet mbeten: ai nuk është ruajtës i historisë së BFI-së, por shkatërruesi i saj më i madh në epokën moderne. Kështu flasin faktet e pamohueshme!
